“Velça” nxjerr 24 mln fuçi – Raporti teknik i “Pennine”, optimist për gjetjen e naftës, Roel Korkuti/SCAN, 03/05/2017

Pennine Petroleum, që ka marrë në shfrytëzim bllokun Velça për një periudhë 6-vjecare, njoftoi se ka përfunduar raportin e vlerësimit teknik. Ky raport arrin në përfundimin se, në rastin më të mirë, nga blloku Velçës mund të dalin 26,400,000 fuçi naftë.

Raportet e kaluara, që datojnë deri në 20 vite më parë, nënvizojnë se blloku në fjalë mund të mbajë nga 14 milionë deri në 70 milionë fuçi. Në kontratën e kanadezëve të Pennine me qeverinë shqiptare saktësohet se, në rast të gjetjes së burimeve të naftës, kontrata mund të shtyhet me një afat 25-vjeçar.

Fillimisht, kompania ka njoftuar se do të investojë 2.1 milionë euro për të shpuar 2 puse nafte, me një thellësi deri në 2600 metra. Vlerësimet e raportit teknik mbeten paraprake, pasi asnjë pus nuk është hapur deri më tani në këtë thellësi.

Kompania kanadeze do të operojë në bllokun e Velçës me dy faza, atë të eksplorimit dhe atë të shpimit. Në fazën e dytë, kontrata përfshin një ndarje të fitimeve neto 40 me 60% në favor të qeverisë shqiptare.

Faza e eksplorimit pritet të zgjasë 2 vite, dhe ajo e shpimit 4 vitet e mbetura, me shpresën se gjetja e një ose më shumë vendburimeve të naftës, do ti mundësojë kompanisë të shtyjë kontratën e shfrytëzimit me 25 vite.

Leave a Comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.